Policia e Shqipërisë ka realizuar dy operacione në qarkun e Korçës, duke goditur një skemë të dyshuar të ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantë të ardhur nga vende të treta.
Në kuadër të operacioneve “Route 2” dhe “Qatromi”, janë arrestuar dy të rinj 21-vjeçarë. Gjatë operacioneve, policia ka kapur gjithsej 11 emigrantë në dy raste të ndryshme.
Të arrestuarit dyshohet se po transportonin emigrantët drejt Tiranës për një shpërblim financiar, ndërsa në të dy rastet, ata përpiqeshin të shmangin shërbimet e Policisë.
Në një nga rastet, njëri nga të dyshuarit u zbulua duke transportuar emigrantët, por arriti të largohej nga organet policore. Pas ndjekjes, ai u kap më vonë.
Sipas njoftimit të policisë, ky shtetas u identifikua nga shërbimet e Policisë Kufitare në fshatin Tren, Devoll, ku brenda automjetit kishte pesë emigrantë nga vende të treta. Ai nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe gjatë ndjekjes në aksin “Korçë-Pogradec”, braktisi automjetin dhe arriti të largohej. Pas disa orësh kërkimesh, 21-vjeçari u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 6 në Tiranë.
Be the first to comment