Një grup punëtorësh ndërtimi në Gent të Belgjikës ka bërë një zbulim të pabesueshëm gjatë punimeve në një bodrum të lashtë vere. Ata gjetën monedha dhe shufra ari me një vlerë të konsiderueshme, rreth 9 milionë euro, të fshehura brenda një muri.
Ekipi po instalonte tubacione për një sistem të ri kanalizimi kur zbuluan thesarin. Fillimisht, ata menduan se ishin monedha të zakonshme, por shpejt e kuptuan se ishin në prani të arit, raportojnë mediat.
Një nga punëtorët, 18-vjeçari Kobe, përshkroi momentin: “Sigurisht që për një çast menduam ta mbanim.”
Megjithatë, ekipi vendosi të njoftonte policinë, duke vlerësuar se shuma ishte shumë e madhe për t’u mbajtur fshehur.
Autoritetet kanë nisur hetime për të zbuluar origjinën e arit. Disa nga shufrat dyshohet se datojnë nga vitet 1957-1961, ndërsa pronarët e objektit nuk janë ende të sigurt se si ka përfunduar thesari brenda murit.
Drejtori i organizatës që zotëron ndërtesën sugjeroi se ari mund të jetë fshehur si rezultat i ndonjë aktiviteti të paligjshëm ose mashtrimi.



















You must be logged in to post a comment Login