Shtatë anëtarë të një bande të njohur për falsifikimin e dokumenteve janë arrestuar ose kanë dorëzuar vetë, pas përpjekjeve të koordinuara nga Britania e Madhe dhe institucionet e Kosovës për të ndaluar aktivitetin e saj të paligjshëm.
Ambasada britanike në Kosovë njofton se “Rrjeti Krasniqi”, i vendosur në Ballkanin Perëndimor, drejtonte një operacion të sofistikuar falsifikimi. Ky grup prodhonte dokumente identiteti, pasaporta dhe patenta shoferi, të cilat u lejonin migrantëve të paligjshëm dhe trafikantëve të simulojnë shtetësinë e mëse 50 vendeve, përfshirë Britaninë e Madhe.
Aktualisht, personat që janë nën masën e arrestit janë:
– Flamur Krasniqi
– Valon Krasniqi
– Arif Krasniqi
– Nexhmije Selmani
– Shkembim Emerllahu
– Sami Duriqi
– Granit Avdyli
Sipas “The Telegraph”, Flamur Krasniqi dyshohet se ka qenë anëtar i grupit që posedonte dokumente të falsifikuara. Valon Krasniqi dyshohet se ishte i përfshirë në prodhimin e këtyre dokumenteve, ndërsa Arif Krasniqi supozohet të ketë vepruar si ndërmjetës për sigurimin e klientëve.
Grupi përfshinte gjithashtu Nexhmije Selmanin, e akuzuar për ofrimin e lokaleve të përdorura për falsifikim, dhe Shkëmbim Emerllahun, i cili është akuzuar për posedimin e dokumenteve të falsifikuara. Sami Duriqi akuzohet për implikim në prodhimin e dokumenteve, kurse Granit Avdyli raportohet si i përfshirë në reklamimin e shërbimeve të grupit.
Në tetor të vitit të kaluar, pas veprimeve të para nga autoritetet kosovare ndaj tre anëtarëve të bandës, Britania e Madhe vendosi sanksione të synuara ndaj rrjetit, duke i dhënë fund aktivitetit të tyre të paligjshëm. Në muajt e mëpasshëm, përmes presionit të autoriteteve britanike dhe kosovare, shtatë nga nëntë anëtarët e njohur të bandës janë arrestuar ose kanë dorëzuar veten te autoritetet kosovare, me dorëzimin e fundit në maj të këtij viti.



















You must be logged in to post a comment Login