Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) u mblodhën sot në Kuvend, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, e cila deri më tani nuk është zhvilluar.
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi, raportoi nga Kuvendi dhe ndau detaje mbi zhvillimet e ditës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, për shkeljen e qëllimshme të Kushtetutës së Kosovës.
Hamza theksoi se situata ka kaluar nga një krizë politike në një krizë kushtetuese dhe institucionale.
Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, foli në sallën e seancave plenare, duke shprehur shqetësimin se Albin Kurti po rrezikon sigurinë kombëtare.
Kjo ditë përfundoi pa mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Ndërkohë, është raportuar se grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po zhvillon një takim në Kuvend.
Mbetet për t’u parë nëse gjatë ditës do të ketë zhvillime të reja që mund të ndikojnë në zgjidhjen e krizës institucionale që vazhdon në vend.
Për të rejat e fundit, ndiqni Klan Kosovën.
Be the first to comment