Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka shpërndarë mendimin e tij në lidhje me vendimin që pritet të merret më 16 shtator në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai sugjeron se ky vendim po i shkakton ankth kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në një video të publikuar në Facebook, Behrami shpreh shqetësimin se Kurti mund të synojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme gjatë muajit shtator. Sipas tij, kjo do të shërbente për të parandaluar organizimin e festave ose protestave pas shpalljes së verdiktit.
Behrami thekson se shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e realizon Presidenti, në konsultim me kryeministrin, në kushte shumë specifike. Ai shpreh se në një situatë pa institucione të konstituuara, një shpallje e tillë do të kishte pasoja shkatërruese. “Verdikti i 16 shtatorit po i shkakton ankth Albin Kurtit. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ai synon të parandalojë festime për lirimin e krerëve të UÇK-së ose protestat në rast se verdikti do të ishte dënuese,” shkruan Behrami në postimin e tij në Facebook.
Analisti Lulzim Peci, në një emision të RTV21, ka paralajmëruar për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Ai shprehet se si qytetar i Kosovës frikësohet nga skenarë të tmerrshëm që mund të ndodhin pas shtatorit, duke përmendur pasojat e mundshme.
“Problemi është se mund të arrijmë në një situatë të komplikuar, ku zoti Kurti shpall gjendjen e jashtëzakonshme pa asnjë bazë ligjore, pa parlament. Kjo do të hapte dyer për shumë procese politike, si të brendshme ashtu edhe me veriun,” ka deklaruar Peci, duke shprehur shqetësim se Kurti mund të tejkalojë kompetencat e tij.
Be the first to comment