Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka komentuar zhvillimet e fundit pas vendimit të partisë së saj për të mos arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve.
Në një intervistë për emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Lushaku-Sadriu theksoi se LDK-ja mori pjesë në negociata me Vetëvendosjen për të siguruar funksionimin e institucioneve, duke nënvizuar se kjo kërkon një vetëdije të lartë shtetërore.
Ajo u shpreh se përfshirja e LDK-së në negociata kishte si qëllim seriozitetin dhe respektimin e shkallës së angazhimit për shtetin e Kosovës. Sipas saj, qytetarët e kanë përcaktuar përgjegjësinë e partive politike, dhe LDK-ja e ka përgjigjur thirrjes së kryetarit të Vetëvendosjes, e cila doli si partia e parë.
Lushaku-Sadriu vuri në dukje se qytetarët kanë votuar tri herë radhazi dhe theksoi se partia e parë ka përgjegjësinë kryesore për drejtimin e institucioneve. Ajo bëri të ditur se, përmes Kushtetutës, kjo parti ka peshën më të madhe për iniciativat e nevojshme.
Ajo po ashtu deklaroi se Vetëvendosja tani ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë, ndërsa partitë e tjera, sipas saj, nuk kanë këtë mundësi. “Vetëvendosja e ka mundësinë për të formuar institucionet, ndërsa ne nuk arritëm një marrëveshje,” sqaroi ajo.
Në lidhje me negociatat, deputetja e LDK-së tha se është diskutuar për parimet themelore të drejtimit të vendit, si dhe për parimet demokratike për ndarjen e pushtetit. Sidoqoftë, ajo theksoi se nuk kishte gatishmëri për një ndarje proporcionale të pushtetit.
“Ofertat që morëm nuk ishin të pranueshme për LDK-në, pasi nuk pasqyronin përqindjen e votave që kishim marrë,” përfundoi Lushaku-Sadriu.
Be the first to comment