Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Ozkan Ulutash, ka diskutuar lidhur me mundësitë e ndryshimit të pranisë statike të misionit mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë, në një intervistë të dhënë para 12 ditësh në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.
Sot, misioni ushtarak i NATO-s ka nisur procesin e kalimit gradual nga prania e përhershme në këtë lokacion. KFOR-i e ka njoftuar se ky proces është në përputhje me optimizimin e pozicionimit të misionit, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Ulutash tha se kjo prani është një pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. Ai theksoi se çdo ndryshim do të varet nga kushtet e sigurisë.
“KFOR-i i është i pranishëm 24/7 në urën kryesore të Mitrovicës si pjesë e përpjekjeve tona për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre përkatëse,” deklaroi Ulutash.
Gjithashtu, ai theksoi se çdo rregullim i pranisë së KFOR-it do të ndodhë në varësi të situatës së sigurisë. Ulutash theksoi rëndësinë e vigjilencës së vazhdueshme dhe përshtatjes me dinamikat në ndryshim, gjithmonë në përputhje me mandatin e KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.
Ai po ashtu shprehu se përvoja e tij e mëparshme në Kosovë, duke shërbyer për herë të dytë në këtë pozitë, i ka dhënë mundësinë të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve të krijuara dhe të ketë një kuptim më të thellë të kontekstit në vend.
Be the first to comment