Shumica e banorëve të evakuuar për shkak të zjarreve masive pranë Spokane, në shtetin e Uashingtonit, tashmë janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre. Ekipet e zjarrfikësve vazhdojnë përpjekjet për të shuar vatrat e mbetura.
Rreth 1,700 zjarrfikës janë angazhuar për të parandaluar përhapjen e tre zjarreve që shpërthyen në periferi të qytetit më 1 gusht. Deri të dielën, flakët kishin përfshirë rreth 10,000 hektarë tokë dhe kishin shkaktuar dëme të mëdha, duke shkatërruar ose dëmtuar rëndë mbi 900 banesa në Spokane dhe zonat përreth.
Në kulmin e zjarreve, afërsisht 64,000 banorë ishin nën urdhra evakuimi, pasi flakët, të nxitura nga erërat, përfshinë lagje të tëra. Megjithatë, pavarësisht përmasave të zjarreve, nuk janë raportuar viktima apo të lënduar rëndë.
Zjarret pranë Spokane u konsideruan si prioriteti kryesor i emergjencave për shuarjen e zjarreve në Shtetet e Bashkuara, sidomos në këtë periudhë të thatësirës dhe të dhjetëra vatrave aktive të zjarrit në rajonin e Paqësorit Veriperëndimor.
Be the first to comment