Përfytyroni një arenë të mbushur me 22 mijë njerëz që ulërasin kundër jush. Atje, atmosfera është armiqësore, si pas tërmeti. Një shtet tërë që nuk të përkrahin, përveç presionit nga organizatorët e UFC-së që të tërhiqesh. Megjithatë, asgjë nuk e ndali luftëtarin shqiptar Dennis Buzukja, i cili, mes Beogradit, ngriti duart për të shfaqur shqiponjën dhe u fut në kafaz me flamurin kuqezi. Ai e dinte se çfarë do të thoshte frika dhe këtë, serbët e kuptuan shumë shpejt.
“Gjatë peshimit, bëra duar si këto… e nxora shqiponjën dhe kjo doli në çdo lajm. E pranoj, ishte provokim. Por kur erdhi dita e ndeshjes dhe doli fotoja ime në arenë, ata çmendën. Ishin 22 mijë serbë brenda, filluan të bërtisnin, dridhej arena si pas një tërmeti. UFC më bëri shumë presion që të mos dilja me flamur, pasi shteti i Serbisë nuk e pranonte. Megjithatë, flamuri ishte aty në karrige dhe mendova: ‘Nuk më intereson, do të dal me të’. Kur dola, filluan të shanin e të pështynin, por asgjë nuk më preku,” tha Buzukja.
Të hysh në “strofullën e ujkut” dhe të dalësh me kokën lart kërkon një karakter të hekurt. Ky mentalitet nuk është formuar vetëm në ring. Dennis është kalitur përmes punëve të rënda në ndërtim, duke u përballur me lodhje ekstreme në rrugët e Amerikës. Për të arritur majat e arteve marciale mikse, ai ka bërë një jetë të dyfishtë.
“Kam punuar në ndërtim. Me beton, skela, rrymë elektrike, me gjithçka. Punë e rëndë. Pas punës, pushoja gjysmë ore brenda në makinë, pastaj i jepja makinës edhe një orë e gjysmë në trafik për të shkuar në stërvitje. Stërvitesha 2-3 orë çdo ditë, 6 ditë në javë,” shtoi Buzukja.
E gjithë kjo forcë dhe karakter buron nga rrënjët e tij. Prindërit e tij lanë gjithçka pas në vitin e errët 1997, me qëllim që t’i siguronin atij një të ardhme më të mirë në “Tokën e Premtuar”. Megjithatë, zemra e shtëpisë së tyre mbeti gjithmonë në Shqipëri.
“Origjinën e kam prej Shkodrës. Prindërit ikën në vitin ’97, duke lënë gjithçka pas për mua, për të më dhënë një jetë më të mirë. Jam rritur duke u mësuar se ata janë shqiptarë. Nuk dinin asgjë për Amerikën, kështu që u rrita me gjuhën, kulturën dhe shtëpinë shqiptare,” tha ai.
Sot, Dennis Buzukja nuk është thjesht një emër premtues në UFC. Ai është simboli i djalit të emigrantëve, i cili, falë punës, sakrificës dhe krenarisë për gjakun e tij, ka arritur të detyrojë edhe arenat më armiqësore të heshtin përballë forcës së tij.
Be the first to comment