Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një konferencë për media pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.
Abdixhiku theksoi se për të arritur një marrëveshje politike, partia e tij duhet të jetë e përfaqësuar në bashkëqeverisje. Ai sugjeroi që LDK-ja duhet të propozojë emrin e kandidatit për president në bashkëpunim me LVV-në.
“Çështja e presidentit është e rëndësishme. LDK ka kërkuar që kandidati për president të propozohet nga ne, natyrisht duke diskutuar emrat me partnerin tonë. Deri më tani, nuk kemi arritur një dakordim mbi këtë çështje. Pozita e dhjetorit, ku LDK përfshihej vetëm si zëvendëskryeministër dhe në disa ministra, nuk është e mjaftueshme. Kjo nuk është një zgjidhje dinjitoze për krizën aktuale. Nëse LVV dëshiron LDK-në në qeverisje, atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar në mënyrë të denjë. Kryeministri është një pozitë që i takon partisë së parë, sipas Kushtetutës së Kosovës, ndërsa kryetari i Kuvendit gjithashtu i takon partisë më të madhe. Ndërkohë, ne mund të propozojmë një kandidat dhe të diskutojmë për këtë së bashku. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, atëherë me keqardhje LDK nuk do të jetë në gjendje të kontribuojë më tej në bisedime,” konkludoi Abdixhiku.



















You must be logged in to post a comment Login