Gazetari Faton Mehmeti ka ofruar informacione të reja mbi shpërthimin me tritol në Karaçevë. Ai thekson se ngjarja mund të jetë e lidhur me përplasje ndërmjet grupeve kriminale për kontrollin e kazinove në atë zonë.
Në një lidhje direkte në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Mehmeti shpjegoi se sipas burimeve që ka, dyshimet lidhen me grupe më të përfshira në aktivitetet e kazinove në Karaqevë.
“Bëhet fjalë për përballje mes grupeve kriminale që lidhen me Dejan Kandarin, i njohur si njeriu më i afërt i Vuçiqit dhe kontrollevë të kazinove në Karaqevë. Historia poshtë është shumë më e komplikuar dhe ka aspekte kriminale. Një ngjarje e tillë mund të ketë ndodhur sepse Nehat Thaçi ishte në veturë me një serbe, e cila punon në një kazino. Nehat Thaçi, sipas burimeve, gjithashtu është i përfshirë në këtë aktivitet. Ka informacione se ai po vepronte si sigurim në atë zonë, ku funksionojnë gjashtë kazino. Një pjesë e kontrollit të tyre është në dorë të Mentor Meçanit ndërsa një tjetër i përket Dejan Kandarit, i cili është në konflikt me Nehat Thaçin. Kjo është një nga arsyet pse është përdorur tritoli,” tha Mehmeti.
Sipas gazetarit, disa kazino në Karaçevë vazhdojnë të operojnë, ndërkohë që kontrolli i tyre dyshohet të jetë i ndarë mes grupeve të ndryshme.
Megjithatë, këto informacione ende nuk janë konfirmuar nga organet e hetuesisë. Policia dhe Prokuroria nuk kanë shpërndarë detaje lidhur me motivin e mundshëm të shpërthimit dhe individët e dyshuar.
Hetimet për zbardhjen e këtij rasti vazhdojnë.
Be the first to comment