Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, shprehu shqetësimin se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po imponon agjendën e tij për arritjen e marrëveshjeve politike.
Në një deklaratë për KosovaPress, Kadrijaj theksoi se nëse sot nuk mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, do të ketë pasoja juridike. Ajo vuri në dukje se po shkelën afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
“Ka pasoja juridike, sepse vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i qartë dhe ka përcaktuar afatet kohore pas certifikimit të zgjedhjeve. Këta po e shkelin Kushtetutën në mënyrë të qëllimshme. E kemi parë dje se mbajtja e seancës në ditën e fundit ishte e pakuptueshme. Në fakt, kanë pasur një muaj kohë për të diskutuar për krijimin e institucioneve,” tha ajo.
Kadrijaj paralajmëroi se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja nëse vazhdohet me këtë ritëm, duke kërkuar nga Kurti që të “lëshojë pe”.
“Po e imponon agjendën dhe kushtet e veta, kur në të vërtetë duhet të jetë i gatshëm të negocojë. Nëse dëshiron të bëjë zgjedhje, duhet të lëshojë pe, jo t’i ketë të gjitha gjërat në duar. I vetmi që ka ngulur këmbë për bashkëpunim është LDK-ja, të cilët ende po negociojnë,” tha Kadrijaj.
Ajo shtoi se një figurë si Ramush Haradinaj në postin e presidentit do t’i bënte nder shtetit të Kosovës. “E ka një të kaluar historike të veçantë, duke qenë dy herë kryeministër. Ai do të ishte një nder për vendin, por nuk e kemi propozuar as kërkuar,” theksoi ajo.
Deritash, nuk ka ndonjë njoftim nga Kuvendi për vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të. Seanca e djeshme u ndërpre pasi Kryetari Kurti kërkoi kohë shtesë për diskutime me përfaqësues të partive, me synimin për të arritur një marrëveshje për çështjen e presidentit.
Kjo ndodh në një moment kritik, kur mesnata konsiderohet si afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Be the first to comment