Egzon Reshani është arrestuar pasi tentoi të largohej nga Kosova në drejtim të Serbisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi i tij ka ndodhur më 3 gusht, pas orës 22:00. Gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare në fshatin Karaqevë e Poshtme, zyrtarët e Policisë Kufitare identifikuan një automjet të dyshimtë që po lëvizte nga fshati Breznicë në drejtim të territorit të Kosovës.
Pas ndërhyrjes së policisë, automjeti u ndalua në fshatin Novosellë. Gjatë kontrollit, pasagjeri, që u identifikua si Egzon Reshani, tentoi të ikte me vrap drejt vijës kufitare, përkatësisht në drejtim të Serbisë. Policia reagoi menjëherë dhe arriti ta ndalonte dhe arrestonte atë në afërsi të kufirit, duke parandaluar largimin e tij.
Policia njoftoi se ndaj Reshanit kishte një urdhër arrest aktiv, pasi ai kërkohej për disa veprime të rënda penale, përfshirë “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestruar një thikë. Pas konsultimit me prokurorin kompetent, është iniciuar procedura për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, i dyshuari është dorëzuar njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për veprime të mëtejshme në përputhje me urdhër-arrestin dhe rastet për të cilat kërkohej.



















You must be logged in to post a comment Login