Stresi ka surprizuar ndjekësit me vendimin e tij më të ri, duke bërë të ditur se po hyn zyrtarisht në politikë.
Reperi shqiptar ka shpallur kandidaturën për një vend në Këshillin Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë, duke thënë se synimi i tij është të përfaqësojë zërin e të rinjve shqiptarë.
Lajmin e ka bërë publik vetë artisti përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku u shpreh se ka ardhur momenti që rinia të ketë më shumë ndikim në vendimmarrje.
“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar”, shkroi Stresi.
Ai theksoi se përvojat e jetës, sfidat dhe rruga që ka kaluar ndër vite e kanë shtyrë të kërkojë më shumë hapësirë për të rinjtë në politikë.
“Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet”, u shpreh reperi.
Vendimi i Stresit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat janë ndarë mes surprizës dhe mbështetjes për hapin e tij drejt politikës.
Në fund të mesazhit të tij, reperi u bëri thirrje të rinjve që të bashkohen dhe të kontribuojnë për ndryshim, duke theksuar se “e ardhmja nuk pret”.











You must be logged in to post a comment Login