Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e projektit “Na Mungojnë”. Ky projekt, përmes dokumentarëve dhe debateve publike, sjell në vëmendje rrëfimet e familjeve të personave të pagjetur dhe kërkesën e tyre për të ditur fatin e të dashurve.
Haxhiu theksoi se rrëfimet e familjeve nuk përfundojnë me mbylljen e projektit. Ato vazhdojnë të mbesin të pranishme edhe pasi dëgjohen këto histori, duke lënë pas një mori pyetjesh. “Si mund të kuptosh se njeriu yt zhduket me dhunë gjatë luftës, ndërsa familja të mbetet pa përgjigje?”, u shpreh ajo.
Ajo shpjegoi se zhdukja me dhunë prek thellësisht ndjenjën e kuptimit te familjarët. Sipas saj, çdo përpjekje për të dhënë një shpjegim për pritjen e një familjeje është e pamjaftueshme. “Kur të kuptosh është e pamundur, të dish bëhet e domosdoshme”, tha Haxhiu, duke nënvizuar se kërkesa e familjeve të personave të pagjetur është të dinë ku ndodhen më të dashurit e tyre.
Ajo kritikoi faktin se Serbia ende mban të mbyllura arkivat e saj ushtarake dhe policore, duke e bërë këtë proces të vështirë për familjet. Haxhiu shtoi se në këto arkiva mund të gjenden informacione të rëndësishme për urdhrat dhe vendndodhjet që familjet i presin prej kohësh.
Duke folur për zbuluarjen e varrezave masive në Serbi, Haxhiu theksoi se kjo tregon se fshehja e gjurmëve ka qenë e qëllimshme. Ajo kërkoi që hapja e arkivave të jetë një detyrim i qartë për Serbinë ndaj drejtësisë dhe familjeve. “Rreth 1600 persona ende janë të pagjetur, dhe shpesherë përmenden si statistika. Por këto dokumentarë na japin emrat, fytyrat dhe rrëfimet që priten me padurim”, tha ajo.
U.D. Presidentja theksoi se mungesa ndoshta nuk është e njëjtë në çdo shtëpi, por pritja dhe kërkesa për të ditur është universale. Ajo theksoi nevojën për një punë të përditshme institucionale që përfshin hetim, dokumentim, dhe bashkëpunim me familjet për të ndjekur çdo informacion që mund të çojë në të vërtetën.
Haxhiu falënderoi institucionet që janë angazhuar për gjetjen e personave të zhdukur dhe adresimin e krimeve të luftës. Ajo përmendi arritjet e fundit që kanë ndihmuar në gjykimin e rastave në mungesë, për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë. Institucionet e Kosovës, sipas saj, mbeten të përkushtuara për të mbështetur këtë proces.
Ajo nënvizoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, duke e përfshirë këtë çështje në kuadër ligjor dhe institucional. Ajo përmendi anëtarësimin në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur dhe themelimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës si hapa të rëndësishëm.
“Identifikimi dhe rivarrimi i personave të zhdukur nga masakra e Kralanit pas kaq shumë vitesh na tregon se asnjë rast nuk është i mbyllur përderisa familja nuk ka marrë përgjigje”, përfundoi Haxhiu.
