Bashkimi Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje për rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit që ndodhi të martën. Banorët e prekur kanë filluar procedurat gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar nga ndërmarrja publike Ibër-Lepenc për lirimin dhe pastrimin e tokës.
Në reagimin e saj, BE-ja ka shprehur shqetësim për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë rast, si dhe në disa raste të tjera të ngjashme në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti.
Përmes një postimi në Facebook, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo rrënimi, largimi të detyruar ose marrjeje në posedim derisa të adresohen shqetësimet lidhur me procedurat ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive.
“Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura, duke shqyrtuar zgjidhje të ligjshme. Roli i Policisë së Kosovës në këto operacione duhet të mbetet brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa të qarta nga autoritetet kompetente dhe të dokumentohet siç duhet. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimet e kontestuara pronësore ngrejnë shqetësime serioze për sundimin e ligjit,” thuhet në deklaratë.
Bashkimi Evropian ka theksuar se, në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë, dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten.



















You must be logged in to post a comment Login