Një aksident rrugor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në kryqëzimin e rrugëve “Onhezmi” dhe “Skënderbeu” në Sarandë. Një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierën mbrojtëse.

Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i automjetit, një shtetas francez, ka humbur kontrollin mbi mjetin e markës “Mercedes-Benz”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Fatmirësisht, në aksident nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa drejtuesi ka shpëtuar pa ndonjë dëmtim.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë Rrugore të Sarandës kanë mbërritur në vendin e aksidentit. Ata kanë kryer testin e alkoolit për drejtuesin, i cili ka rezultuar me 0.00 mg/l, duke vërtetuar se ai nuk kishte konsumuar alkool.

Policia po zhvillon një hetim që ka për qëllim të përcaktojë rrethanat dhe shkakun e aksidentit.