Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka deklaruar se organizata nuk ka një qëndrim zyrtar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri. Ai theksoi se këto protesta janë çështje të brendshme të shtetit shqiptar.
Syla u kërkoi veteranëve që marrin pjesë në këto protesta të mos flasin në emër të organizatës. Ai sqaroi se OVL-UÇK nuk ka informacione të mjaftueshme për organizatorët dhe qëllimet e protestave, kështu që nuk dëshiron të përfshihet në to.
Reagimi i organizatës erdhi pasi dega e OVL-UÇK-së në Tiranë informoi se disa veteranë po tentonin të paraqiteshin në protestë në emër të saj. “Neve u kemi bërë thirrje sepse kemi marrë informacione që disa bashkëluftëtarë tanë, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria, përpiqen të flasin në emër të organizatës në këtë protestë,” sqaroi Syla.
Ai nënvizoi se çdo veteran ka të drejtë të marrë pjesë në protesta si individ, por nuk mund të përfaqësojë organizatën. Sipas tij, në mungesë të një qëndrimi zyrtar, është e papranueshme që individë të flasin në emër të veteranëve.
Syla gjithashtu foli për marrëdhëniet e OVL-UÇK me institutcionet shqiptare, duke theksuar se organizata dëshiron të ruajë bashkëpunimin institucional, pavarësisht se kush është në pushtet. Ai sqaron se organizata nuk ka asnjë vlerësim për protestat, por dëshiron stabilitet në Shqipëri.
“Nuk kemi ndonjë mendim ose qëndrim për protestat që po zhvillohen atje. Ashtu siç e shohim ne, do të donim të shihnim shtetin tonë duke ecur përpara, me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kemi dëshirë të shohim vetëm lajme pozitive, jo trazira,” përfundoi Syla.
Ai u bëri thirrje veteranëve që të jenë të kujdesshëm nëse vendosin të marrin pjesë në protestat.
