Gjashtë studentë dhe një profesor nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës kanë realizuar një vizitë në fabrikën e Prince Caffe në Pejë. Kjo vizitë u organizua në kuadër të një projekti bashkëpunimi për krijimin e dizajneve të reja të filxhanëve të kafesë espresso.
Në ambientet e fabrikës, e cila është pjesë e Devolli Corporation, studentët patën mundësinë të njihen me procesin e prodhimit, paketimit dhe shpërndarjes së kafesë deri tek konsumatoret. Gjatë vizitës, ata morën gjithashtu informacion mbi historinë e kompanisë dhe kulturën e kafesë.
Profesori Taulant Qerkini, nga Fakulteti i Arteve, theksoi se ky projekt paraqet një mundësi të shkëlqyer për studentët. Ai shpjegoi se janë dizajnuar filxhanë për një edicion special të Prince Caffe, duke theksuar se kjo është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të studentëve si dizajnerë të rinj dhe promovimit të ideve të tyre kreative.
Nga ana e studentëve, kjo përvojë u vlerësua si një hap i rëndësishëm profesional. Ata theksuan se bashkëpunimi me kompani të mëdha u ofron mundësi për të prezantuar punën e tyre dhe për të kuptuar rolin e dizajnit përtej aspektit estetik.
Dardan Mehmeti, inxhinier në Prince Caffe, tha se projekti synon të sjellë ide dhe perspektiva të reja kreative. Ai theksoi se kompania mbetet e hapur ndaj bashkëpunimeve me të rinjtë dhe promovimin e talenteve të reja.
Mehmeti shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në çdo ide, kreativitet dhe produkt dizajni, duke ofruar hapësira të rinjve për të promovuar punën dhe idetë e tyre. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e mëparshëm me studentë dhe dizajnerë të rinj, duke premtuar vazhdimin e mbështetjes për kreativitetin e tyre.
Pas shqyrtimit të propozimeve të studentëve, përfaqësuesit e kompanisë do të përzgjedhin dizajnet që do të përdoren në filxhanët e një edicioni special të Prince Caffe.
