Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Bekim Haxhiu, ka folur mbi procesin zgjedhor të 7 qershorit gjatë një interviste në emisionin “DPT Te Fidani”.
Haxhiu theksoi se vota e diasporës po keqpërdoret nga partia aktuale në pushtet, duke sugjeruar se shtabi zgjedhor i PDK-së duhet të paraqesë ankesë për këtë çështje. Ai shprehu shqetësimin se pas këtyre zgjedhjeve, si edhe në ato të kaluara, nuk është bërë asnjë ankesë nga ekipi zgjedhor i partisë, pavarësisht provave të mjaftueshme që tregojnë për keqpërdorimin e votave nga subjekti në pushtet.
Ai përmendi se manipulimi i votave në diasporë është i mundshëm, pasi në shumë ambasada të Kosovës mungojnë kamerat dhe vëzhguesit e PDK-së, si dhe të partive të tjera. Haxhiu kërkoi që përpara zgjedhjeve, të sigurohej një numër më i madh vëzhguesish për të monitoruar votimin, si në ambasada ashtu edhe për votat me postë.
Për më tepër, ai argumentoi se vota në diasporë po shkon drejt kriminalizimit nga Vetëvendosje. Ai theksoi se partitë opozitare nuk po arrijnë të mbrojnë votat e qytetarëve jashtë vendit. Sipas tij, informacionet që ka marrë nga diaspora tregojnë se pothuajse në çdo ambasadë kanë ekzistuar nga dy kuti rezervë, të cilat janë ruajtur në konsullata ose te ambasadori. Po ashtu, në shumicën e ambasadave, kamerat nuk kanë punuar dhe nuk ka pasur vëzhgues të PDK-së, duke rritur mundësinë e manipulimit.
Haxhiu përfundoi duke theksuar se janë evidentuar raste kur votat e kryesisë së PDK-së në disa qytete nuk janë reflektuar në rezultatin përfundimtar, edhe pse ata kishin marrë pjesë në votim.


















You must be logged in to post a comment Login